Mirëmbrëma.
Zoti President, zoti Kryeministër, z. Kryetar i Kuvendit, Senatore Ernst, Gjeneral Orr,… qytetarë të Kosovës, anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, bashkëatdhetarë të mi amerikanë. Mirësevini në festimin e Ditës sonë të Pavarësisë.
Mendoj se ishte tepër e përshtatshme që e patëm senatorin Bob Corker për t’na ndihmuar ta festojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës në shkurt, kurse tani e kemi këtu senatoren Joni Ernst për t’na ndihmuar që ta festojmë Ditën tonë të Pavarësisë. Në dhjetor e patëm këtu Sekretarin e Shtetit John Kerry, prandaj mendoj se është e qartë që Kosovës po i kushtohet shumë vëmendje nga zyrtarët e lartë amerikanë.
Sot jemi këtu në nderim të 240 vjetorit të pranimit të Deklaratës sonë të Pavarësisë – një dokument ky që vazhdon t’na frymëzojë me parimet për barazi dhe të drejta të përgjithshme, si dhe për vizionin e tij për demokraci. Kur u shkrua, Deklarata – në kuptim të drejtpërdrejtë – ishte revolucionare. Mëtonte të krijonte një komb të ri – një bashkim të njerëzve të ndryshëm me prejardhje dhe ideologji të ndryshme, por të vendosur për të krijuar një identitet të përbashkët kombëtar dhe një qeveri që do t’i pasqyronte vlerat e tij.
Natyrisht, ajo deklaratë nuk paraqiste fundin, por vetëm fillimin e formimit tonë si komb. Nganjëherë është lehtë të harrohet se edhe Shtetet e Bashkuara, sikurse Kosova sot, dikur ishin komb i ri. Kosova sapo ka kremtuar tetë vjet si vend i pavarur dhe dihet se tetë vjet pas shpalljes së Deklaratës sonë të Pavarësisë, qeveria jonë ende përpëlitej për ta gjetur rrugën e vet. Brenda vendit, përpëlitej për shkak të financave. Jashtë, përpëlitej për ta përkufizuar dhe zbatuar politikën e vet të jashtme dhe për ta tejkaluar trashëgiminë e luftës përmes dialogut me ish-armiken e vet. Mjaft shpesh, qeveria nuk ishte e aftë t’i pajtonte kontestet politike rreth taksave, investimeve të jashtme dhe tregtisë ndërkombëtare. Madje ishte përfshirë në një debat të tensionuar për kufijtë territorialë me një shtet fqinj. Në fakt, në vitin 1784 kur u botua harta e parë zyrtare e Shteteve të Bashkuara, thuhet që i kishte tërbuar pothuajse të gjithë. A ju tingëllon si diçka e njohur kjo?
Megjithatë, atë korrik, qytetarët e Bostonit të Masaçusetsit, u mblodhën në shesh, ashtu siç kishin bërë çdo 4 korrik prej vitit 1776. Fjalën kryesore e mbajti avokati dhe politikani i njohur, Benjamin Hitchborn. Gjatë fjalimit të tij, ai ia përkujtoi turmës se grumbullimet, si kjo e sotshmja, shërbejnë “për t’na përkujtuar se qeveria është privilegj i popullit, jo barrë”. Ai vazhdoi duke theksuar se “nuk mblidhemi për t’i promovuar pikëpamjet e ndonjërës parti, por me lirinë dhe vendosmërinë e burrave [dhe grave], të cilët kanë të drejtë të mendojnë dhe të veprojnë për vete dhe të analizojnë çështjet e rëndësishme për interesin tonë të përbashkët”.
Në vitin 1789, vetëm 13 vjet pas pavarësisë, vendi ynë i kishte shqyrtuar rrënjësisht dokumentet themeluese për të krijuar diçka të re në frymën e atij interesi të përbashkët – duke e zëvendësuar atë që ishte konfideratë shtetesh me një Kushtetutë dhe republikë të popullit, për popullin dhe nga populli. Ajo republikë qëndroi, por jo pa përpëlitje. Lufta civile, shekuj të pabarazisë gjinore dhe racore, konflikte brenda dhe jashtë vendit na kanë sfiduar për ta ri-analizuar veten dhe për tu përpjekur për ta bërë republikën tonë që të funksionojë për tërë popullin tonë.
Edhe sot po përpiqemi. Në atë grumbullimin qytetar të vitit 1784, amerikanët e dinin se rritja do të ishte me dhimbje. Në një bashkësi të larmishme, gjithmonë do të ketë dallime dhe mospajtime. Ato dallime nuk mund – nuk duhet ta ndalojnë një qeveri që të ecë përpara për interesin e përbashkët të kombit.
Kështu, tetë vjet pas pavarësisë këtu në Kosovë, me plagët e historisë ende të freskëta, duhet ta mbajmë mend se të kesh qeveri të lirë, të pavarur dhe demokratike me të vërtetë është edhe privilegj edhe përgjegjësi. Madje edhe kur një grup i vogël i politikanëve është i dhunshëm dhe përçarës. Madje edhe kur të tjerët vendosin se mosveprimi është politikisht më i rehatshëm se sa përballja me çështjet e vështira dhe të rëndësishme. Madje edhe kur popullata humb besimin në qeverinë e vet, politikanët duhet ta mbajnë në mend atë privilegj dhe përgjegjësi dhe të punojnë me mund për ta rikthyer besimin e qytetarëve, të cilët janë punëdhënësit e tyre. Duhet t’i përqafojmë sfidat dhe mundësitë – mundësitë për të udhëhequr dhe mundësitë për të punuar për ta ndërtuar të ardhmen më të ndritur. Sepse Kosova, sikurse edhe pjesa tjetër e botës, nuk do të vazhdojë të përparojë pa ndërmarrjen e hapave pozitivë dhe punës së mundimshme të individëve.
Politikanëve dhe zyrtarëve të qeverisë, qëllimi i të cilëve është ta bëjnë Kosovën vend më të mirë për gjeneratën e ardhshme, iu them: përgëzimet e mia. Kurse ata, qëllimet parësore të të cilëve janë qëllime vetiake politike, personale dhe financiare: i nxis fuqimisht që t’i rishqyrtojnë prioritetet e tyre. Po ashtu, qytetarët që e shohin vendin e tyre dhe buxhetin e vendit si burim të pajustifikuar të lëmoshës duhet të mendojnë se çka po bëjnë me të vërtetë. Ata po përfitojnë jo vetëm nga bashkëqytetarët e tyre, por edhe nga fëmijët dhe nipërit e Kosovës dhe nga e ardhmja e këtij vendi. Ndërtimi i themeleve të një republike të drejtë dhe të duhur – një republike të qëndrueshme – kërkon punë dhe përkushtim të njëmendtë për të mirën e përgjithshme.
E këtu ka mjaft punë të njëmendtë për të bërë: për sundim të ligjit dhe kundër korrupsionit, ku kemi parë disa shenja të përparimit të kohëve të fundit që duhet të vazhdojnë; për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të jashtme; dhe për siguri rajonale dhe forcim të marrëdhënieve me fqinjtë tuaj. Kosova duhet të ecë përpara për interesin e përbashkët të popullit të saj. Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë krah jush – por Ju duhet t’i prini vetë fatit tuaj.
Kur Benjamin Franklin, njëri ndër etërit themelues, doli nga Kongresi Kontinental i vitit 1787, një grua iu afrua në rrugë. “Pra, doktor, çka kemi”? e pyeti ajo. “Një republikë apo mbretëri”? “Republikë, zonjë”, u përgjigj ai. “Nëse mund ta mbani”. Shtetet e Bashkuara kanë punuar për ta mbajtur republikën qe 228 vjet. Kosova duhet ta bëjë të njëjtën gjë.
Sot, përderisa po festojmë 4 korrikun, po ashtu festojmë për këtë përgjegjësi që ne, si prijës dhe qytetarë, e ndajmë. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri te Republika e Kosovës, një qeveri e popullit, për popullin dhe nga populli, është privilegj që e kemi merituar dhe republikë për të cilën duhet të punojmë të gjithë.
Ju faleminderit. Ju faleminderit që jeni këtu dhe që po festoni me ne.
Urime Dita e Pavarësisë!