Ambasadori Delawie në emisionin “Jeta në Kosovë” për të drejtat pronësore të grave, 8 mars 2018
Jeta Xharra: Z. Delawie, sot po flasim për të drejtat pronësore dhe në trashëgimi. Më vjen zor që pyetjen e parë duhet t’ia shtroj një të huaji, por a na është dashur Amerika që të vijë dhe t’na ndihmojë ta rregullojmë këtë çështje? Jemi mbështetur në SHBA për bombardime; jemi mbështetur në Amerikën për demarkacion, kurse tash po mbështetemi në Amerikën edhe për çështjen e trashëgimisë. Pse Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta mbështesin çështjen e të drejtave pronësore të grave?
Ambasadori Delawie: Mendoni në çështjen për trashgëmi? Disa arsye. Para së gjithash, ne e mbështesim Kosovën dhe e dimë se Kosova njëmend mund të ketë sukses vetëm kur të gjithë në Kosovë marrin pjesë në ekonomi dhe shoqëri. Shpesh them se nuk do të fitoni shumë lojëra të futbollit nëse gjysma e lojtarëve tuaj rrinë ulur në stol. Pikërisht një situatë të tillë po përpiqemi ta shmangim për gratë në Kosovë.
Për ne, kjo është çështje e drejtësisë; është çështje e familjes; është çështje e korrektësisë; si dhe është çështje e ekonomisë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës që kosovaret të jenë në gjendje të marrin pjesë në ekonomi në baza të njëjta si burrat. Nëse nuk mund të trashëgoni ose keni probleme në trashëgimin e pronës nga prindërit tuaj, ose keni vështirësi në regjistrimin e pronës në komunë, nuk mund të merrni pjesë plotësisht në ekonominë e Kosovës.
Jeta Xharra: Keni investuar shumë para në gjykata. SHBA është donatori më i madh në Kosovë. Sot, pas 19 viteve të investimeve, cili do të thonit është rezultati i këtyre investimeve? A i shihni ato në jetën reale?
Ambasadori Delawie: I shohim në jetën reale. Në tërë sektorin e sundimit të ligjit, ne i zotojmë rreth 8 milionë dollarë në vit dhe kjo mbulon një varg gjërash. Këto mjete mbulojnë Kodin e procedurës penale, për të cilin po punojmë me Ministrinë e Drejtësisë. Mbulojnë trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë. Mbulojnë shumë çështje të ndryshme. Dhe po, shohim disa rezultate. Shpesh them që nuk jam i kënaqur me nivelin e rezultateve, por mendoj se tendenca është pozitiv. Javën e kaluar e ndihmuam Ministrinë e Drejtësisë për lansimin e Udhëzuesit për politika ndëshkimore, i cili do të ndihmojë që njerëzit e ndryshëm që janë dënuar për të njëjtin krim dhe që gjykohen nga gjyqtarë të ndryshëm, do të përballeshin me dënime të ngjashme. Ka shumë gjëra që po ndodhin që ne i kemi mbështetur.
Jeta Xharra: Më thoni: si kanë përfituar gratë që kanë një problem me trashëgimi nga programet tuaja? E keni parë atë rezultat në jetën reale?
Ambasadori Delawie: Kemi parë rezultate, por shifrat ende janë mjaft të ulëta. Ne shpenzojmë rreth 2.5 milion dollarë në vit për një varg çështjesh për trashëgiminë, programin për të drejtat pronësore dhe kemi parë që numri i grave që trashëgojnë është rritur dhjetëfish, por që është akoma vetëm 3%. Një shifër shumë e ulët, por është më e mirë se 0.3%, gjë që ishte më parë.
Po shohim se të kuptuarit – ne kemi organizuar shumë fushata për ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje dhe me siguri i keni parë panot tona nëpër qytet, si dhe reklamat tona për ndërgjegjësim në televizion – pra, të kuptuarit për të drejtat pronësore të grave është rritur në 50% – këtë e dimë nga sondazhet. Po shohim rezultate reale. A është gjithçka për mrekulli? Ende jo, por do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje.
Jeta Xharra: Cilën pjesë të institucioneve do ta kritikonit? Ju kemi parë – përsa i përket çështjeve shumë të mëdha kombëtare, nuk përtoni t’i kritikoni institucionet tona. A mund të jeni të sinqertë me ne dhe me të vërtetë të vini në pah sot cilat institucione nuk ju lënë mbresa sa i përket kësaj çështjeje apo thjesht nuk po arrijnë rezultate në këtë fushë?
Ambasadori Delawie: Në fushën e të drejtave pronësore? Në të vërtetë, diplomatët mëtojnë të kritikojnë privatisht dhe të lavdërojnë në publik.
Jeta Xharra: Duam që ta bëni këtë për gratë, për 8 mars, që ta bëni këtë publikisht.
Ambasadori Delawie: Qëllimi im është t’i përmirësoj gjërat. Sa i përket këtyre çështjeve, kemi qenë jashtëzakonisht të kënaqur me mënyrën se si kemi punuar me qeverinë e tanishme, si dhe me qeverinë e mëparshme. Kemi marrë pjesë…
Jeta Xharra: Po me komuna? Në nivel komunal?
Ambasadori Delawie: Në rrugë e sipër. Jemi duke arritur këtë. Kemi marrë pjesë në hartimin e Strategjisë Kombëtare – kanë qenë 140 individë nga qeveria dhe shoqëria civile që kanë punuar në hartimin e Strategjisë Kombëtare. Qeveria tashmë i ka zbatuar 54% të rekomandimeve të kësaj strategjie kombëtare. Besoni ose jo, jemi para afatit. Kjo nuk ndodh aq shpesh këtu. Po arrijmë përparim.
Jeta Xharra: Z. ambasador, e kemi bërë këtë që sapo e bëmë edhe me ministrin, të cilin e pyetëm a e ka regjistruar pronën e tij edhe në emër të bashkëshortes. Këtë pyetje ua kemi shtruar të gjithë kandidatëve; 300 kandidatëve për kryetar komune. Kryetarët e komunave kanë thënë se do ta bëjnë këtë. Patën thënë se edhe nëse nuk e kishin bërë këtë, do ta bënin këtë gjë sapo të zgjedheshin kryetar komune dhe që do t’na ftonin ta filmonim atë gjë. Ka kaluar kaq kohë prej janarit kur e kanë marrë detyrën, por deri tash askush s’na ka ftuar të filmonim këtë gjë. Do t’ju japim ende kohë. Çfarë shembulli jep kjo gjë? Si do të komentonit këtë? Pse burrat në pushtet duhet të udhëheqin duke dhënë shembullin e tyre?
Ambasadori Delawie: Këtë pyetje do t’ua lija psikologëve, por mendoj se iu takon udhëheqësve, prijësve politikë, qofshin ata kryetarë komunash apo ministra apo diçka tjetër për të udhëhequr me shembullin e tyre. Për ta bërë të duhurën. Është e qartë se cila është gjëja e duhur në këtë rast: që bashkëshortët që kanë pronë të përbashkët, ta kenë atë të regjistruar bashkërisht. Të gjithë duhet të vënë shembull për të gjithë zgjedhësit e tyre. Kjo nuk është gjëja e duhur vetëm për ta, por iu demonstron të gjithë zgjedhësve, të gjithëve që jetojnë në qytetin e tyre p.sh. se ata janë të gatshëm t’i trajtojnë të gjithë në mënyrë të barabartë.
Jeta Xharra: Z. Delawie, a keni ndonjë sygjerim për gratë – ato më të privuarat, që ndoshta kanë vuajtur nga dhuna në familje dhe që janë në rrugë pa përkrahje nga shtëpia e tyre, nga familjet, prindërit e fëmijët, si dhe qartazi pa asnjë përkrahje nga bashkëshortët. Pritja mesatare prej 8 viteve, siç e tha ministri për ta zgjidhur një lëndë është situatë tronditëse. Si po e adresojnë këtë çështje për këto gra projektet tuaja?
Ambasadori Delawie: Së pari, sa i përket dhunës në familje. Kemi punuar shumë në çështjen e dhunës në familje, përfshirë edhe në udhëzuesin për gjyqtarë ashtu që ata t’i kuptojnë këto çështje të ndërlikuara më mirë. Sa i përket çështjeve që i përmende ti: një pjesë e punës sonë me gjyqësorin ka ndihmuar që periudha e ditëve të nevojshme për procedimin e këtyre rasteve – të lëndëve të trashëgimisë që janë në procesim e sipër – të përgjysmohet. Qartazi ende duhet të punohet për këtë. Ende duhen dy vite, që është shkurtuar prej katër viteve, por prapëseprapë është periudhë shumë e gjatë kohore për shqyrtimin e lëndëve të trashëgimisë.
Jeta Xharra: Qartazi, të gjithë nevojtarët kurrë s’do të ndjejnë se kanë mbështetjen e mjaftueshme. Por, a keni hulumtuar ndonjë mënyrë për ta ndalur stimulimin për institucione që i marrin grantet tuaja për ndërtim kapacitetesh, e në fakt nuk i ndërtojnë ato kapacitete? A ka ndonjë mënyrë për ndëshkimin e këtyre institucioneve që nuk i përmbushin detyrat e tyre?
Ambasadori Delawie: Ne punojmë me ata njerëz që punojmë me neve dhe punojmë me njerëz që i përmbushin detyrat e tyre. Jo të gjitha projektet janë të suksesshme. Nganjëherë i ri-orientojmë mjete tona për tu përqendruar në projekte që kanë qenë të suskesshme. Sa i përket këtij projekti, ne kemi qenë shumë të kënaqur me të. Ne ndihmojmë për politika, por do të duhen vite të tëra derisa të zbatohet plotësisht. Të gjithë janë entuziastë për këtë gjë, si në këtë qeveri, po ashtu edhe në qeverinë e kaluar. I kemi 140 individë nga qeveria, shoqëria civile, deputetë të Kuvendit që punojnë së bashku. Kemi ndihmuar në hartimin e Strategjisë kombëtare për tu marrë me çështjet e ndërlikuara për të cilat po flasim. Kemi ndihmuar për këto ligje që i përmendi Ministri i Drejtësisë, të tri ligjet për të cilat foli ai. Po punojmë në ndërgjegjësimin e publikut, gjë që po e bën edhe Arjeta, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse nëse nuk jeni të vetëdijshëm se duhet t’i kërkoni të drejtat tuaja, atëherë nuk do t’i realizoni ato të drejta. Këto janë fushat në të cilat kemi punuar ne. Në të gjitha fushat, punojmë me njerëz që sjellin sukses dhe nganjëherë, gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet dhe ne themi: ok, kemi shpenzuar mjaft kohë në këtë, do të punojmë në diçka tjetër.
Pjesëmarrësit e tjerë flasin
Jeta Xharra: Po, z. Delawie?
Ambasadori Delawie: Dëshiroj që të gjithë ta kuptojnë: kemi punuar me Ministrinë e Drejtësisë në këto ligjet e reja që po flasim, këto tri ligjet e reja. Por, gratë edhe sot kanë të drejta dhe ato duhet t’i kërkojnë të drejtat e tyre sipas ligjit.
Jeta Xharra: Pra, nuk ka nevojë që ligjet të miratohen?
Ambasadori Delawie: Jo, ligjet do ta përmirësojnë gjendjen. Këto ligje do të mundësojnë masa shtesë garancie. Këto ligje do t’ua bëjnë njerëzve më të lehtë t’i kuptojnë.
Jeta Xharra: Ambasador, a keni dëgjuar ndonjë përvojë të ndonjë gruaje që janë përpjekur, në përputhje me ligjin e tanishëm, për ta regjistruar pronën e tyre? A i keni takuar këto gra?
Ambasadori Delawie: Absolutisht. Një nga koleget e mia në USAID ka blerë pronë vetë dhe ka shkuar në komunë për ta regjistruar atë pronë, gjë që është e drejtë e saj. Zyrtari atje është munduar ta shkurajojë nga kjo gjë duke i thënë: “Një ditë do të trashëgosh pronë nga babai yt dhe nuk ke pse ta regjistrosh këtë pronë”, që ajo e kishte blerë me mjetet e saj. Ajo është goxha e fortë dhe i dinte të drejtat e saj dhe arriti ta regjistrojë pronën. Por, zyrtarët duhet t’ua lehtësojnë njerëzve për ta bërë të duhurën. Ata nuk duhet të bëjnë që njerëzit t’i kërkojnë me ngulm të drejtat e tyre. Iu takon të gjithë zyrtarëve publikë – e unë edhe vetë jam zyrtar publik në qeverinë time – për t’iu shërbyer qytetarëve të tyre dhe për t’ua lehtësuar jetën, si dhe për të siguruar që të drejtat e tyre respektohen.
Ligjet janë të mira. Ato do t’i bëjnë gjërat edhe më të mira, por sot, tani, gratë kanë të drejtë ta regjistrojnë pronën e tyre, ta trashëgojnë atë dhe duhet t’i kërkojnë me ngulm këto drejta nëse të tjerët ua mohojnë ato. Iu takon të gjithë zyrtarëve publikë që të sigurojnë se gratë mund t’i ushtrojnë të drejtat që tashmë i kanë.
Jeta Xharra: Ministri nuk deshi ta thoshte një shifër për 8 mars 2019 sepse e di se do ta kontrollojmë atë. A do t’na e jepni ju një shifër se çka do të bëjë ambasada juaj pas një viti ashtu që ne të shohim nëse njëmend është arritur ajo? Çfarë plani keni për vitin e ardhshëm, veçanërisht për trashëgimi dhe a mund t’na e jepni një shifër se si do të përmirësohet kjo gjë?
Ambasadori Delawie: Shifër për çka?
Jeta Xharra: Shifër të përmirësimit.
Ambasadori Delawie: Jo, por mund t’jua jap shifrën që do ta shpenzojmë – rreth 2.5 milionë dollarë deri vitin e ardhshëm – kjo është shifra që e kam, sepse topi im i kristaltë është paksa i mjegullt momentalisht. Do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë dhe shoqërinë civile për zbatimin e strategjisë kombëtare, do të lobojmë për miratimin e ligjeve për të cilat folëm dhe do të vazhdojmë të angazhohemi në fushatën për rritjen e ndërgjegjësimit. Duhet ta përmend se BIRN-i ishte pjesë e rëndësishme e fushatës sonë për rritjen e ndërgjegjësimit dhe dua ta falënderoj ekipin këtu që ka punuar për përhapjen e fjalës gjatë vitit të shkuar.
Jeta Xharra: Ju faleminderit.