Ambasadori Delawie me fituesen e çmimit ndërkombëtar për gratë e guximshme

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes për z-njën Feride Rushiti, fituese e çmimit ndërkombëtar për gratë e guximshme, 25 prill 2018

Mirëmbrëma. Kjo është hera e parë në karrierën time që po shoh një çmim të tillë, por si duket janë tri të tilla në Kosovë. Dhjetë vjet pavarësi.  Tri çmime ndërkombëtare për gratë e guximshme. Çka mendoni,  nuk është hiç keq, apo jo?

Çdo ditë frymëzohem nga kosovaret. Prej presidentes Jahjaga, Dr. Rushitit e veprimtareve të panumërta që luftojnë për sundimin e ligjit, sigurinë dhe të drejtat e njeriut: gratë janë ato që po e shtyjnë Kosovën drejt një të ardhme demokratike evropiane. Më vjen shumë mirë që këtu po i shoh të gjitha gratë nga kabineti qeveritar – por, do të dëshiroja të jenë më shumë se dy.

Duke nderuar Dr. Rushitin, po e nderojmë jo vetëm një individ, por traditën e pasur të Kosovës të prijëseve që kanë punuar dhe sakrifikuar për ta bërë këtë vend më të mirë.

Çmimi ndërkombëtar për gratë e guximshme që ndahet nga Sekretari i Shtetit i vlerëson gratë nga e tërë bota që kanë treguar guxim dhe lidership të jashtëzakonshëm. Fitueset e këtij çmimi janë përpjekur për paqe, drejtësi, të drejta të njeriut, barazi gjinore dhe fuqizim të grave, shpesh me rrezik dhe sakrifica personale. Është vështirë të parafytyrojmë dikë që i mishëron këto ideale më shumë se sa Dr. Rushiti.

Gjatë pothuajse dy dekadave të hulumtimit dhe mbështetjes, Dr. Rushiti iu ka siguruar qasje në kujdes shëndetësor dhe drejtësi viktimave civile të konfliktit të armatosur. Vitin e kaluar, përpjekjet e saj sollën deri te marrja e një vendimi të spikatur për ndarjen e pensioneve për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Ky hap i ka ndihmuar Kosovës për të ndërmarrë një hap jetik përpara për tu përballur në mënyrë të përgjegjshme me trashëgiminë e të kaluarës së saj.

Ideali që e nxit Dr. Rushitin për të punuar për viktimat është po i njëjti që e ka shtyrë Kosovën për të kërkuar pavarësinë: përkushtimi për drejtësi, vetëvendosje dhe dinjitet njerëzor. Këto vlera janë thelbi i partneritetit të SHBA-së me Kosovën.

Shpresoj që të arriturat e Dr. Rushitit dhe ky çmim do të frymëzojnë të tjerët për të punuar drejt të ardhmes më të mirë për të gjitha viktimat e luftës. Ende ka edhe shumë punë. Qindra të mbijetuara që kanë aplikuar për pension paraqesin vetëm një pjesëz të atyre që kanë vuajtur nga dhuna seksuale gjatë luftës. E shumë viktimave nga radhët e pakicave qëllimisht po iu mohohet e drejta për dëmshpërblim, dinjitet dhe drejtësi.

Për të gjithë ato që vazhdojnë të vuajnë, që vazhdojnë të përballen me padrejtësi dhe stigmë, por të cilat shpresojnë në të ardhme më të mirë, Dr. Rushiti do të ishte e para që thotë: Ky çmim është për juve!

Ju faleminderit shumë!