Ambasadori Delawie diskuton për zgjedhjet në SHBA për emisionin “Zona Express”, 16 nëntor 2016
Express: Z. ambasador, faleminderit që keni ardhur këtu për këtë intervistë. Fillimisht, nuk dua t’ju pyes për t’na treguar për kë keni votuar, por të paktën a keni pasur mundësi të votoni?
Ambasadori Delawie: Ju faleminderit shumë, është kënaqësi që jam këtu. Njëmend e çmoj mundësinë për ta kaluar pak kohë me ju.
Kam pasur rastin të votoj. Në Shtetet e Bashkuara mund të votojmë me postë nëse nuk jemi në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe kam pasur mundësinë ta dërgoj fletëvotimin tim në shtator.
Express: Pra, Z. ambasador. Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë zgjedhur presidentin e ri, z. Donald Trump. Si do të ndikojë kjo gjë në marrëdhëniet Kosovë – SHBA?
Ambasadori Delawie: Në këtë çast, nuk mund të parashikoj në mënyrë specifike se çfarë politikash do t’i ketë administrata e re, por sigurisht që mund ta them se gjatë viteve, politika e jashtme amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti ka qenë jashtëzakonisht e qëndrueshme pa marrë parasysh a ka qenë një republikan apo demokrat në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk shoh asnjë arsye pse kjo vazhdimësi të mos vazhdojë në të ardhmen.
Express: A ka arsye për shqetësim sepse shumë njerëz në Kosovë i kanë shprehur mendimet e tyre kundër zgjedhjes së Donald Trump-it si president, veçanërisht para zgjedhjeve? Shumë njerëz kanë pasur dyshime tyre për të.
Ambasadori Delawie: Mendoj se njerëzit anembanë botës kanë pasur mendime rreth zgjedhjeve amerikane dhe kam qenë i inkurajuar kur e kam parë gjithë atë interesim nga njerëzit nga gjithkah. Por, t’i përgjigjem pyetjes suaj: Jo. Kosova, sikurse Shtetet e Bashkuara, është vend i lirë. Njerëzit janë të lirë t’i shprehin mendimet e tyre në Shtetet e Bashkuara e po ashtu edhe në Kosovë dhe nuk shoh asnjë arsye që njerëzit të shqetësohen për atë që e kanë thënë para zgjedhjeve.
Express: Po mendoj, a duhet të shqetësohen pasi të bëhet zyrtarisht president dhe pasi ta marrë detyrën?
Ambasadori Delawie: Nuk shoh asnjë arsye për shqetësim.
Express: A ka rrezik që administrata e z. Trump të ketë qasjetjetër ndaj Ballkanit e të ndryshojë nga politika ndaj Kosovës që kanë qenë e mirë në këto 30 vitet e fundit? Pra, a do të ndryshojë diçka pasi z. Trump ta marrë detyrën?
Ambasadori Delawie: Mendoj se politika jonë ndaj Kosovës, ndaj Ballkanit Perëndimor, ka qenë shumë e ngjashme nga një administratë te tjetra. Politika jonë e gjerë për Evropën ka qenë ta promovojmë një Evropë të tërësishme, të lirë dhe në paqe. Tash për tash, nuk shoh asnjë arsye për të pritur që kjo do të ndryshojë. Synimi im është të vazhdoj të punoj në çështjet për të cilat kam punuar prej fillimit, siç janë korrupsioni, rritja ekonomike dhe integrimi i Kosovës në kornizën evropiane.
Express: Gjatë fushatës në Shtetet e Bashkuara, gjatë fushatës zgjedhore ka pasur një retorikë që të paktën ka qenë e pazakonshme. A ka përfunduar atë ditë apo kjo retorikë ndërmjet republikanëve dhe demokratëve do të vazhdojë?
Ambasadori Delawie: Në Shtetet e Bashkuara i kemi pasur fushatat retorike me shekuj. Njerëzit entuziazmohen shumë në SHBA. Është një rrëfim për një kandidat për president, i cili përfundoi si presidenti ynë i tretë, Thomas Jefferson, që punësoi njerëz për të përhapur thashetheme të këqija për kundërshtarin e tij. Kjo ishte në vitin 1800! Pra, ka retorikë në fushatën në SHBA dhe kjo ndodh edhe në vendet e tjera. Dëshiroj të theksoj se Presidenti Obama u takua me Presidentin e zgjedhur Trump para disa ditëve dhe pas takimit, Presidenti Obama tha se ishte i bindur që Presidenti Trump do të punojë për të mirën e të gjithë amerikanëve, e jo vetëm për të mirën e atyre që e kanë votuar.
Express: Pra, këto lloj – t’ju themi – përleshjeje ndërmjet republikanëve dhe demokratëve nuk do të vazhdojnë?
Ambasadori Delawie: Ngurroj që të parashoh se çfarë saktë do të ndodhë në të ardhmen. Sigurisht që ka pasur retorikë politike në SHBA edhe para se të fillonte fushata zgjedhore presidenciale dhe vetëm duhet të presim e të shohim se çka do të ndodhë. Por, qeveria e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë dhe do të kemi bartje paqësore të pushtetit më 20 janar, siç ka ndodhur për më shumë se 200 vjet dhe unë jam shumë i kënaqur për këtë.
Express: Në Serbi janë disa politikanë që madje kanë guxuar të parashohin se z. Trump do ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. A mund të ndodhë kjo?
Ambasadori Delawie: E urrej që po e them të njëjtën gjë shumë herë, por politika e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor ka qenë shumë e qëndrueshme për shumë vite. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën ka qenë e qëndrueshme për shumë vite, si kur ish-Presidenti George W. Bush ishte në detyrë apo kur Presidenti Obama ishte në detyrë. Pra, nuk shoh asnjë arsye pse kjo do të ndryshojë.
Express: Pyetja e fundit. Disa politikanë në Kosovë, si p.sh. z. Thaçi, kanë qenë hapur për Clinton-in, e jo për Trump-in. A mund të ndikojë kjo disi në marrëdhëniet ndërmjet – të themi – atij dhe administratës së z. Trump?
Ambasadori Delawie: Nuk shoh asnjë problem me këdo që e njeh ose e shfrytëzon të drejtën tij/saj të lirisë së shprehjes në Kosovë apo kudo tjetër. Nuk pres që ajo që njerëzit kanë thënë para zgjedhjeve të ketë ndonjë ndikim në politikën amerikane pas zgjedhjeve.
Express: Ma merr mendja që tashmë keni pasur kontakte me ekipin e ri që do t’i merr detyrat në presidencën e SHBA-së. A kanë ndonjë plan apo ide për ta vizituar Kosovën, të themi z. Trump apo…
Ambasadori Delawie: Mendoj se është shumë herët për të thënë çkado rreth kësaj. Presidenti Obama është presidenti ynë deri më 20 janar dhe administrata e tij do të vazhdojë ta udhëheqë politikën e brendshme dhe të jashtme të SHBA-së deri atëherë e kur ekipi i ri ta marrë detyrën, ata do t’i marrin vetë vendimet e tyre ku do të shkojë Presidenti i zgjedhur dhe çka duhet të bëjë saktë.
Express: Z. ambasador, ju faleminderit shumë për kohën tuaj.
Ambasadori Delawie: Jeni më se të mirëseardhur. Ju faleminderit juve.