Adresimi i ngacmimeve seksuale në universitetet publike

Fjala e z-njës Colleen Hyland, zëvendës-shefe e misionit, gjatë prezantimit të raportit për ngacmimin seksual në universitetet publike në Kosovë, 8 mars 2017

Mirëmëngjesi dhe urime Dita ndërkombëtare e gruas.  Kam kënaqësinë që po festoj bashkë me ju, por ç’është më me rëndësi, që jam këtu për të shënuar këtë diskutim të rëndësishëm për ngacmimin seksual në universitetet publike të Kosovës.

Dëshiroj t’i falënderoj panelistët dhe organizatorët, veçanërisht Zanën, për punën e mundimshme në këtë projekt.  Ambasada amerikane është krenare që e ka mbështetur këtë projekt përmes programit për grante të vogla të Komisionit për demokraci.

I mbështesim projektet e tilla sepse dëshirojmë të sigurohemi që Kosova po ec përpara.  Kur flasim për përparimin këtu, një gjë është e qartë: nuk mund të garantojmë pjesëmarrje të plotë të grave në qeveri, biznes dhe shoqëri civile pa një grup aktiv, të zëshëm dhe të organizuar të udhëheqëseve të fuqizuara që kërkojnë vendin e tyre në tryezë.

Kosova ka pasur disa suksese të mëdha: zgjedhjen e gruas së parë presidente dhe të kryetares së parë të komunës, të cilat mbesin shembuj të fuqishëm për të gjitha gratë.  Kemi parë përparimin e grave edhe në Policinë e Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Por, e tërë kjo më sjell te njëra prej çështjeve që do të diskutohen sot: gratë në Kosovë nuk mund të përparojnë pa mundësitë për tu shkolluar në një mjedis ku trajtohen në mënyrë të drejtë e të barabartë.

Edhe ne në Shtetet e Bashkuara përpëlitemi me këtë çështje.  Prej vitit 1972 e kemi një ligj federal, të quajtur “Titulli IX”, i cili ndalon diskriminimin në baza të gjinisë në programet dhe veprimtaritë edukative dhe përkufizon ngacimin apo dhunën seksuale si forma të diskriminimit.

Prej vitit 1972, ky ligj ka evoluar ashtu që tash çdo shkollë në Shtetet e Bashkuara është e detyruar me ligj që të ketë një punonjës të caktuar për përmbushjen e “Titullit IX”.  Përveç kësaj, ky ligj obligon çdo shkollë që të dokumentojë në mënyrë publike procedurat për raportimin dhe trajtimin e pretendimeve për diskriminim seksual.

Këta janë hapa shumë të rëndësishëm për të siguruar që kemi një sistem që i mbron të drejtat e të gjithë studentëve.  Por, për fat të keq, ata hapa prapëseprapë nuk mjaftojnë për ta parandaluar diskriminimin në tërësi.  Departamenti ynë i Edukimit momentalisht i ka pothuajse 300 hetime të hapura rreth mënyrës se si kolegjet dhe universitetet i trajtojnë rastet e diskriminimit seksual.

Kjo është e papranueshme në Shtetet e Bashkuara, e do të duhej të jetë e papranueshme edhe në Kosovë.

Ta themi shkurt: ngacmimi dhe dhuna seksuale nuk kanë vend në institucionet e Kosovës, në universitetet e saj apo në shoqërinë kosovare.

Më vjen mirë që po e shtjelloni këtë çështje të rëndësishme sot dhe shpresoj që qeveria dhe institucionet e saj akademike do ta shqyrtojnë seriozisht këtë raport dhe rekomandimet e tij.

Po ashtu, shpresoj se Dita Ndërkombëtare e Gruas do t’ju nxisë të gjithëve – burrat e gratë nëpër tërë Kosovën – për ta shfaqur përkrahjen tuaj dhe për të nxitur ndryshime pozitive.

Ndryshimet që i bëni nuk vlejnë vetëm për gratë e ditëve të sotshme, por për gratë e së nesërmes dhe për të ardhmen e Kosovës.

Ju faleminderit.