Intervistë e Ambasadorit Delawie për gazetën Epoka e Re
“Epoka e re”: Si e vlerësoni inicijativën e disa deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale?
Ambasadori Delawie: Para së gjithash më duhet të them se isha i indinjuar nga përpjekja e së premtes (22 dhjetor) për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Shtetet e Bashkuara nuk e përkrahin këtë apo çfarëdo përpjekje tjetër për minimin e bashkëpunimit me Gjykatës që është thelbësore për të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe të tregojë gatishmërinë e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare.
Ky proces u udhëhoq nga disa individë. Ishte e qartë se u ndërmorr në fshehtësi në mënyrë që t’i iket shqyrtimit të kujdesshëm nga opinioni i Kosovës dhe miqtë e sajë në bashkësinë ndërkombëtare. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer në ata që do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre për të promovuar interesat personale të tyre.
Ata që qëndrojnë pas kësaj inicijative ne do t’i shohim si bashkëfajtorë në çfarëdo tentimi të mëtutjeshëm për të shfuqizuar apo ndryshuar Ligjin, apo për ta minuar përkushtimin e Kosovës ndaj Gjykatës në çfarëdo mënyre.
Çfarëdo përpjekje e tillë do të shkaktonte pasoja të thella dhe specifike për të ardhmen evropiane të Kosovës, dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara.
“Epoka e re”: Z. ambasador Delawie, jemi në muajin e fundit të këtij viti, si po e përmbyll Kosova këtë vit dhe ju si ambasador?
Ambasadori Delawie: Si shumë njerëz në Kosovë, edhe unë do t’i kaloj festat e fundvitit me familje. Përderisa e kujtoj këtë vit për Kosovën – e e pres me padurim përvjetorin e dhjetë të pavarësisë që do ta festojmë së shpejti në 2018-tën – nuk kam se si të mos mahnitem sa shumë ka ecur përpara Kosova.
Shpresoj që përderisa zyrtarët e Kosovës të kthehen të freskët në Vitin e Ri, ata do t’i përvishen punës – sa më parë që është e mundshme – për tu marrë me disa prej çështjeve më serioze të Kosovës si: miratimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit, luftimin e korrupsionit, miratimin e Ligjit për liritë fetare dhe dekretimin e politikave që do të mundësojnë rritjen ekonomike të Kosovës.
“Epoka e re”: Në këtë vit Kosova ka organizuar dy palë zgjedhje, ato nacionale dhe lokale. Jeni i kënaqur me mbarëvajtjen e këtyre proceseve?
Ambasadori Delawie: Kosova i ka mbajtur tri palë zgjedhje profesionale, të drejta dhe të besueshme këtë vit me vetëm disa parregullsi të vogla. Kjo është e arritur e madhe dhe dëshiroj t’i përgëzoj jo vetëm ata që kanë punuar në ato zgjedhje, por të gjithë që në mënyrë të qëndrueshme i kanë kontribuar demokratizimit të Kosovës prej mbajtjes së zgjedhjeve të para shumë vite më parë. Nuk ka asnjë vend tjetër vetëm dhjetë vjeç ku performanca e zgjedhjeve është kaq e fuqishme.
Megjithatë, do të theksoj se në komunat me shumicë serbe ka pasur raste të besueshme të kërcënimit dhe dhunës para zgjedhjeve, gjë që ndikoi në gatishmërinë e kandidatëve për të qëndruar në garë. Ndërhyrja e huaj ishte e pamohueshme dhe pati ndikim negativ në të drejtat demokratike të qytetarëve që jetojnë në ato zona. Këta qytetarë meritonin garë zgjedhore si çdo kush tjetër në Kosovë; pothuajse 30 vjet pas rënies së murit të Berlinit, nuk do të duhej të shohim zgjedhje me vetëm një kandidat në Kosovë. Misioni vëzhgues i BE-së bëri punë të mirë në dokumentimin e këtyre problemeve.
“Epoka e re”: Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka mbushur 100 ditëshin e punëve. Si do ta vlerësonit punën e qeverisë për gjatë kësaj periudhe?
Ambasadori Delawie: Roli im në Kosovë nuk është që të notoj performancën e qeverive. Mund të them se kohëve të fundit po shoh energji pozitive nga qeveria. Qeveria ka vendosur tonin për gjithëpërfshirje, gjë që e mirëpres – prej zbatimit të suksesshëm të integrimit të gjyqësorit në tetor, te angazhimi më i madh i pakicave në takime e deri te ndërmarrja e hapave për tu këshilluar dhe angazhuar me komunitetin e serbëve të Kosovës për tranformimin e forcës së sigurisë.
Është me rëndësi që qeveria të punojë në agjendën e reformës evropiane, e cila është thelbësore për të ardhmen evroatlantike të Kosovës. Kosova duhet t’iu demonstrojë aleatëve ndërkombëtarë se mund t’i kryejë punët – përfshirë edhe marrjen e vendimeve të vështira – që janë pozitive për qytetarët e Kosovës dhe për ta çuar vendin përpara. Shënimi i kufirit është shembull parësor.
“Epoka e re”: Gjatë këtij 100-ditëshi, Qeveria e Kosovës dhe kompania amerikane “Contour Global” kanë arritur marrëveshje për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Çfarë ndikimi do të këtë kjo marrëveshje në zhvillimin ekonomik të Kosovës?
Ambasadori Delawie: Ky projekt do të mundësojë siguri energjetike, mungesa e të cilës ka qenë pengesë shumë e madhe për rritjen ekonomike. Përveç kësaj, shumë prej jush e keni parë nga monitoruesi i cilësisë së ajrit në uebfaqen e ambasadës sonë që ka shumë ditë kur cilësia e ajrit është e rrezikshme për tu thithur për shkak të ndotjes. “Kosova e re” do të ndërtohet me standardet më të larta të Evropës sa i përket cilësisë së ajrit dhe do të jetë përmirësim shumë i madh nga aspekti mjedisor në krahasim me TC “Kosova A”.
“Kosova e Re” po ashtu do të jetë investimi më i madh privat në historinë e Kosovës. Përveç përfitimeve tjera të menjëhershme që do t’i sjellë ky projekt, trajtimi i mirë i tij do të jetë indikator i jashtëzakonshëm se Kosova është e gatshme për më shumë investime private nga pjesa tjetër e botës.
“Epoka e re”: Z. ambasador, Qeveria e Kosovës e ka përcjellë për në Kuvendin e Kosovës Marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, por nuk është e sigurt nëse në Kuvend janë votat për ta ratifikuar këtë marrëveshje. Si duhet të veprojnë deputetët në këtë rast?
Ambasadori Delawie: Deputetët duhet ta ratifikojnë Marrëveshjen për shënimin e kufirit që është nënshkruar në 2015-tën. Është ujdia e duhur, siç është verifikuar edhe nga qeveria e SHBA-ve dhe ekspertët e tjerë ndërkombëtarë; Kosova nuk humbet tokë sipas kësaj marrëveshjeje. Kjo çështje e ka mbajtur peng Kosovën tashmë më shumë se dy vjet; shumë njerëz e kanë shfrytëzuar atë për qëllimet e tyre politike. Kjo dëmton besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe ndikon negativisht në qytetarë. Tashmë ka kaluar koha që vëmendja e qeverisë të kthehet kah çështjet tjera si korrupsioni dhe zhvillimi ekonomik. Shpresoj që në vitin 2018 do ta shohim miratimin e shpejtë të marrëveshjes për shënimin e kufirit.
“Epoka e re”: Kundër kësaj marrëveshjeje është shprehur edhe kryeministri aktual, z. Haradinaj. Çfarë pasoja mund të këtë Kosova nëse nuk e ratifikon këtë marrëveshje? A mund t’i dëmtojë raportet e Kosovës me ShBA-në dhe partnerët tjerë perëndimor mos-ratifikimi i kësaj marrëveshjeje?
Ambasadori Delawie: BE-ja ka qenë shumë e qartë se liberalizimi i vizave varet nga miratimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit. Pasoja më serioze dhe më e menjëhershme e moskalimit të saj është vazhdimi i izolimit për qytetarët kosovarë dhe pamundësia e udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Përveç kësaj, mendoj se nuk dërgon sinjal të mirë te aleatët dhe partnerët e Kosovës nëse qeveria nuk mund ta finalizojë një marrëveshje ndërkombëtare kaq të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë madje as pas dy vjet debati për të. Shtetet e përgjegjshme duhet të marrin vendime të vështira, të gjejnë mënyra për kompromis dhe pastaj t’i zbatojnë ato. Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen ekzistuese sa më shpejt që është e mundur dhe të kalojë te çështjet e tjera.
“Epoka e re”: Liderët shtetërorë dhe partiakë të Kosovës janë duke e quajtur të padrejtë demarkacionin si kusht për liberalizimin e vizave. Çfarë mendimi ndani ju?
Ambasadori Delawie: Si ambasador i SHBA-ve, nuk është detyra ime që t’i caktoj politikat për BE-në dhe të pajtohem apo jo me to. Jam këtu për t’i trajtuar politikat e SHBA-së në Kosovë.
Megjithatë, ajo që mund të them është se nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, atëherë duhet t’iu përmbaheni rregullave të atij klubi. Po e zhvendosni energjinë tuaj dhe po humbni kohë duke argumentuar për rregullat në vend se t’i përmbushni kërkesat dhe të fitoni anëtarësimin.
“Epoka e re”: Z. ambasador, një ndër problemet kryesore me të cilat përballet shoqëria kosovare është korrupsioni. Çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës që të luftohet sa më efektshëm ky fenomen?
Ambasadori Delawie: Qeveria e Kosovës e ka një agjendë legjislative ambicioze që do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit. Reformat nga Ministria e Drejtësisë po ecin përpara, por për to do të nevojitet mbështetje ndërpartiake në Kuvend. P.sh., miratimi i Ligjit për prokurorin disiplinor do të jetë thelbësor. Ky do të jetë hap kritik përpara për forcimin e kontrollit të pushtetit të dyanshëm dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Reformimi i Kodit penal është prioritet tjetër jetik në të ardhmen e afërt.
Reforma e prokurimit publik paraqet një hap tjetër jetik për trajtimin e korrupsionit. Korrupsioni në këtë fushë ka pasoja të gjera në pengimin e investimeve ekonomike, ofrimin e shërbimeve lokale, në qasjen në kujdes shëndetësor dhe arsim. Do të dëshironim të shihnim zbatimin e plotë të prokurimit elektronik nga ana e qeverisë deri në fund të janarit 2018.
Masat si prokurimi elektronik ua bëjnë më të vështirë zyrtarëve për të vepruar në mënyrë korruptive; ndryshimet ligjore do t’ua bëjnë më të lehtë institucioneve të sundimit të ligjit që të merren me rastet e korrupsionit kur të ndodhin. Trajtimi me efikasitet i kësaj çështjeje do të kërkojë të dy llojet e masave.
“Epoka e re”: Krahas rrezikut nga korrupsioni si faktor i brendshëm, a rrezikohet Kosova edhe nga faktorët e jashtëm?
Ambasadori Delawie: Një çështje brengosëse vjen nga “lajmet e rrejshme” ose metodat e tjera të manipulimit të informatave ashtu që qytetarët nuk mund të besojnë çka lexojnë. Kjo është diçka me të cilën po merret e tërë bota, jo vetëm Kosova. Krijimi i lajmeve të rrejshme është i papërgjegjshëm dhe dëmton demokracinë. Por, përderisa të ekzistojnë lajmet e rrejshme, i nxis të gjithë që të jenë lexues të vëmendshëm, të shtrojnë pyetje për motivet që qëndrojnë prapa gjërave që i lexojmë, dhe nëse kemi pyetje, të kërkojmë burime të besueshme të lajmeve e jo vetëm të bëjmë ‘klikime’ të lehta në internet.
“Epoka e re”: Jeni dëshmitarë se tash e disa vite FSK-ja ka plotësuar standardet për tu transformuar në Forca të Armatosura, por kjo nuk po ndodh për shkaqe politike. Deri kur kjo forcë duhet të mbetet peng i “vetos” së deputetëve serbë në Kuvend dhe cili do të jetë kontributi i ShBA-së në transformimin e FSK-së?
Ambasadori Delawie: Si shtet sovran, Kosova ka të drejtë të ketë ushtri; qeveria e SHBA-së e mbështetë këtë të drejtë. Por, kjo duhet të bëhet ligjërisht, në mënyrë të tillë që do të merrte parasysh shqetësimet e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Asnjë entitet nuk ka të drejtë vetoje për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ndryshimi kushtetues do të ishte mënyra e cila më së shumti ka gjasa të sigurojë që të gjithë qytetarët e Kosovës marrin pjesë në proces. E përgëzoj qeverinë për hapat e ndërmarrë për ta shpjeguar më mirë se çka do të thotë transformimi i FSK-së për çdo komunitet në Kosovë. Shpresoj kjo gjë do të vazhdojë edhe në 2018-tën. Ne po e mbështesim Kosovën në këtë proces tani, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë.
Në fund, dëshiroj ta uroj popullin e Kosovës për të arriturat e jashtëzakonshme gjatë dhjetë vjetëve të shkuara. Kemi rrugë të gjatë përpara nesh, por jam i bindur se kosovarët e kanë përkushtimin dhe këmbëngulësinë për të arritur sukses në të gjitha ambiciet e tyre evropiane.