Intervistë e Kongresistit Roskam dhe Kongresistit Price me Zërin e Amerikës, 19 shkurt 2017
Intervistuesi: Kongresist, para dy ditësh Kosova shënoi përvjetorin e nëntë të pavarësisë. Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Kosovë?
Kongresisti Roskam: Ekziston një optimizëm për gjendjen aktuale në Kosovë. Nëse mendoni për udhëtimin të cilën Kosova e ka bërë, kremtimi i nëntë vjetorit të pavarësisë në një mjedis shumë të qëndrueshëm. Ekonomia po rritet dhe ky është një vend i mbushur me mundësi. Pra, nuk është pa sfida dhe kjo është një nga arsyet që jemi këtu. Kjo është ndalesa e parë e cilitdo delegacion të Kongresit. Kosova është vendi i parë në të cilin kemi ardhur. Pse? Sepse e kemi kuptuar sa e rëndësishme dhe sa thelbësore është Kosova dhe puna e qytetarëve të Kosovës për ta mbajtur vendin të bashkuar dhe për të ecur përpara drejt një të ardhmeje të qëndrueshme e përparimtare.
Intervistuesi: A është kjo shenjë se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar?
Kongresisti Price: Absolutisht. Ndjehem shumë i sigurt për këtë. Kemi pasur një politikë dypartiake në lidhje me Ballkanin dhe Kosovën që nga fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë. Në të vërtetë, Partneriteti për Demokraci i Dhomës së përfaqësuesve është organ ndërveprimi parlamentar që po bën këtë vizitë sot. E kemi vizituar Kosovën edhe para pavarësisë. Ishim duke punuar në Maqedoni, pra e kemi parë këtë që nga fillimi. Kemi pasur partneritet që nga pavarësia. Kemi pasur marrëdhënie të përzemërta me të gjitha palët në Kosovë. Një nga mënyrat tona është nxitja e përfshirjes, inkurajimi i përfaqësimit të gjerë në tërë vendin dhe jemi të inkurajuar nga ky përparim. E dimë që aktualisht janë disa vështirësi shumë serioze sa i përket pjesëmarrjes së të gjitha palëve rreth disa çështjeve kokëçarëse. Edhe ne vetë kemi çështje të vështira. I ndajmë ato. Askush nuk pohon përsosmëri në punën e qeverisjes. Të gjithë po përpiqemi ta përmirësojmë atë dhe mendojmë që ky partneritet ka qenë shumë frytdhënës.
Intervistuesi: Pasi po përballemi me sfida të brendshme dhe të jashtme pikërisht tani, ka një ngecje në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Nuk ka mjaft rezultate siç kemi pritur. Duke pasur parasysh situatën aktuale në rajon por edhe tensionet mes këtyre dy vendeve, sa është realiste të priten rezultate?
Kongresisti Roskam: Pritjet janë që njerëzit të jenë të qëndrueshëm, të kenë besim, të mos ngadalësohen dhe të mos dorëzohen. Sepse alternativa është e mjerë. Pra, ka zëra të autoritarizmit në ngritje e sipër nëpër botë, të cilët po i thonë demokracisë, “Ju jeni të djeshëm. Ju nuk jeni të rëndësishëm. Ju nuk mund të qeverisni. Ju nuk mund të gjeni zgjidhje”. Mendoj që ne të tjerët gjithandej botës që e vlerësojmë lirinë, që e vlerësojmë zërin e secilit që merr pjesë, e dimë sa e rëndësishme është kjo kohë. Dhe, shikoni, nëse Kosova ia doli nëpër të kaluarën me vështirësi dhe turbullira, dhe ajo e ka bërë atë, atëherë ajo ka kapacitet si popull të ngrihet dhe të përballet me të gjitha sfidat që i ka përpara. Pra, ne nuk po e mohojmë aspak natyrën e sfidave. Por ne jemi këtu për të thënë që ky është një rajon që ia vlen ta mbështesim dhe Kosova ndodhet mu në qendër të tij. Dhe, para së gjithash, e ardhmja e këtij rajoni varet nga stabiliteti këtu. Nëse njerëzit, siç tha zoti Price, nëse njerëzit arrijnë të bashkohen dhe të kuptojnë që parlamenti është vendi për shembull ku ankesat dhe aspiratat e tyre dëgjohen. Askush nuk merr tërë atë që dëshiron. Kështu e ka jeta. Nuk ka asgjë të përkryer në këtë anë të parajsës. Me këtë nënkuptojmë që stabiliteti vjen nga institucionet si ky.
Kongresisti Price: E dimë që vetë Serbia po përballet me disa vendime thelbësore për të ecur përpara. Serbia po synon anëtarësim në BE duke u përpjekur në mënyra të ndryshme për t’iu bashkuar familjes së demokracive në mënyrë të plotë. Për këtë jemi të inkurajuar. Gjithashtu është e vërtetë që Serbia dhe Kosova kanë një histori shumë të ngarkuar, një histori shumë të vështirë. Pra, pjesë e marrëveshjes përfundimtare do të jetë një Kosovë e lirë dhe e begatë. Dhe, natyrisht, kjo do të thotë që pakica serbe brenda Kosovës ka të drejta të plota dhe pjesëmarrje të plotë. Ekziston një zgjidhje këtu që duhet gjetur dhe nuk është aspak befasuese, ma merr mendja, që është vështirë ta arrihet atje. Por jemi optimistë dhe ndihemi të sigurt për mbështetjen e vendit tonë.
Intervistuesi: Duke pasur parasysh disa ndryshime në botë, shumë vëzhgues do të thoshin që Ballkani dhe veçanërisht Ballkani perëndimor po lufton për demokraci dhe sundim të ligjit dhe është nën presionin rus dhe ekziston rreziku i radikalizmit. Ka nevojë për shumë vëmendje të administratës amerikane, a pajtoheni?
Kongresisti Roskam: Mendoj që ka shumë vende në botë të cilat kanë nevojë për vëmendje, për vëmendjen e administratës amerikane, por jo vetëm për vëmendjen e administratës amerikane. E tërë bota duhet ta njohë mundësinë e vet në rajone të ndryshme të botës, veçanërisht vendet si ne që e vlerësojnë demokracinë dhe zhvillimin e demokracisë dhe e pranojnë që kjo është rruga drejt stabilitetit dhe përparimit përfundimtar. E kuptoj argumentin tuaj që Ballkani ka qenë historikisht vend i ndërlikuar dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm për këtë. Mendoj që kësaj çështjeje i kushtohet vëmendje. Shtetet e Bashkuara kuptojnë që e kanë historinë e vet të përfshirjes, posaçërisht në Ballkan, jo vetëm në disa dekadat e fundit, por gjatë tërë shekullit të kaluar.
Intervistuesi: A jeni në dijeni, a jeni të shqetësuar për ndërhyrjen ruse në Ballkan?
Kongresisti Price: Po. Përgjigja e shkurtër është po. Mendoj që ndikimi rus në këtë pjesë të botës dhe me të madhe në mbarë botën, është burim i shqetësimit të madh. Mendojmë që Rusia nuk ka arsye të ndjehet e kërcënuar nga një Kosovë e lirë, e pavarur dhe demokratike, dhe për këtë arsye Serbia të vazhdojë rrugën e vet për t’u bërë pjesë e Evropës, për t’u bërë pjesë e integrimit të plotë ekonomik dhe politik. Kjo është në interes të të dyja vendeve. Dhe Rusia nuk ka arsye të ndjehet e kërcënuar nga kjo. Ata përpiqen t’i dominojnë vendet në orbitën e tyre dhe të ndërhyjnë në zgjedhje dhe të bëjnë gjëra të tjera që nuk janë me vend. Pra, vendi ynë, e gjithë aleanca perëndimore, duhet të jetë shumë syhapur për këtë. Jemi të bindur, jemi shumë të sigurt që Kosova është e vetëdijshme për rreziqet dhe do të qëndrojë e vendosur dhe do ta vazhdojë rrugën e pavarur dhe jemi të vendosur ta mbështesim në këtë.
Intervistuesi: Kongresistë, së fundi, një pyetje disi egoiste. U bënë 75 vjet që Zëri i Amerikës transmeton. Si e shihni këtë kohë dhe rolin e tij në të ardhmen?
Kongresisti Roskam: Mendoj që Zëri i Amerikës ka rëndësi të madhe. Respektohet në mbarë botën. Njerëzit e dinë që kur e lëshojnë, kur e shikojnë, kur e shohin, ata do të shohin atë që vërtet është duke ndodhur. Ne shohim e dëgjojmë zëra të tjerë të propagandës anembanë botës. E shikoni dhe është shumë lehtë ta shpërfillni. Është tinëzare. E mohon të vërtetën. Ofron pohime të rreme. Zëri i Amerikës gëzon reputacionin e të qenët i hapur dhe i drejtpërdrejtë, duke treguar tërë historinë. Dhe mendojmë se e tërë historia ia vlen të tregohet.
Kongresisti Price: Pajtohem me gjithë zemër. Kemi punuar me Zërin e Amerikës me vite të tëra. Partneriteti për Demokraci i Dhomës së përfaqësuesve është i përfshirë në zhvillimin e demokracive në mbarë botën. Në Azinë Jugore, në Afrikë, natyrisht në Evropën Lindore dhe Qendrore. Shumë vende në të cilat njerëzit i çmojnë informatat e sakta, pamje e pazbukuruar në lajme, në llogari politike të zhvillimeve politike. Ky ka qenë tipari dallues i Zërit të Amerikës. Dhe unë mendoj se është një shërbim i jashtëzakonshëm që ju bëni për kauzën e demokracisë dhe informimin e plotë dhe të lirë anembanë botës.
Kongresisti Roskam: Më lejoni të jap një argument të fundit, nëse munden, dhe ky është vetëm për t’i bërë jehonë asaj që tha z. Price, posaçërisht për rajonin dhe Rusinë. Ne kemi marrëdhënie të ngushta me vendet e tjera që janë nën presion të madh nga Rusia. Ky është Partneriteti për Demokraci i Dhomës së përfaqësuesve, kemi marrëdhënie të ngushtë me Ukrainën. Kemi marrëdhënie të ngushtë me Gjeorgjinë, që të dyja ose po përballen me konflikt të ngrirë ose agresion aktiv, por natyrisht të dyja janë të pushtuara. Mu këtu duam të jemi të qartë se kë e mbështesim. Ne mbështesim popujt që janë të etur për liri, ne mbështesim popujt që janë të etur për vetëvendosje dhe e bëjnë në një mënyrë që nuk është egoiste, që nuk është përjashtuese, por, që në thelb thotë, shikoni, ne duam ta përcaktojmë të ardhmen tonë. Dhe për këtë arsye kjo vizitë në Kosovë është shumë e rëndësishme. Për arsye se Kosova e mishëron atë aspiratë.
Intervistuesi: Kongresistë, ju faleminderit shumë.
Kongresistët Roskam and Price: Ju faleminderit.