Viti 2021 demonstroi këmbënguljen dhe qëndrueshmërinë e Kosovës dhe kosovarëve. Gjithashtu, dëshmoi që partneriteti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është më i fortë se kurrë. Ja disa shembuj të përparimit të arritur bashkërisht këtë vit:
Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar më shumë se gjysmë milioni doza të vaksinës jetë-shpëtuese Pfizer për t’i mbrojtur kosovarët dhe për t’ju ndihmuar ta luftoni pandeminë – donacioni më i madh i vaksinave nga ndonjë vend për Kosovën. Gjithashtu, kemi dhuruar mbi gjashtë milionë dollarë në emër të ndihmës tjetër të ndërlidhur me Covid-19 për të ndihmuar fëmijët dhe shkollat, qendrat shëndetësore dhe familjet dhe për t’ju ndihmuar komuniteteve të anashkaluara për informim më të mirë dhe qasje në vaksina në tërë Kosovën.
Zbarkimi i parë i përbashkët ndërkombëtar i FSK-së, përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt, ishte njëmend e arritur e jashtëzakonshme – jo vetëm për vetë mbrojtjen e Kosovës, por si demonstrim i gatishmërisë së Kosovës për të përqafuar përgjegjësitë përtej kufijve të saj që kontribuojnë në sigurinë rajonale dhe globale.
Përkundër pandemisë, programet kryesore të shkëmbimit ndërkombëtar vazhduan të lulëzojnë, duke farkëtuar lidhje të përjetshme mes kosovarëve dhe amerikanëve. Këtë vit, ShBA dhe Kosova nënshkruan marrëveshje të rëndësishme për të rritur ndjeshëm investimet në programin Fullbrajt, duke mundësuar një brez i ri i studentëve, studiuesve, hulumtuesve dhe specialistëve t’i bashkohet qindra ish-pjesëmarrësve që tashmë janë kthyer në Kosovë për të dhënë kontributin e tyre të rëndësishëm në përmirësimin e arsimit, mundësive për punësim, qeverisjes dhe bashkëpunimit rajonal.
Gjithashtu, 19 të rinj nga e tërë Kosova momentalisht po studiojnë në SHBA. Këta pjesëmarrës të programit YES i ndjekin mësimet në shkollat e mesme amerikane, jetojnë me familjet amerikane duke shkëmbyer kulturën dhe historinë e Kosovës me amerikanët.
Me këto shkëmbime edukative dinamike, studentët, profesionistët dhe akademikët po e përfaqësojnë Kosovën te brezat e ri të amerikanëve, duke siguruar që dy vendet tona vazhdojnë të jenë burime të vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit nëpër tërë globin.
Sa i përket sundimit të ligjit, kemi forcuar bashkëpunimin dhe ndihmën me organet kosovare të zbatimit të ligjit, institucionet gjyqësore dhe shoqërinë civile për t’ju ndihmuar ta luftojnë korrupsionin, për të siguruar pavarësi të gjyqësorit dhe prokurorisë, për të rritur transparencën, për t’iu ndihmuar viktimave dhe për të mundësuar ndarje të drejtë, të barabartë dhe efikase për të gjithë kosovarët. Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i SHBA-së. Do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë sanksionet, për të prishur dhe shkatërruar lidhjet ndërmjet grupeve të krimit të organizuar dhe aktorëve të korruptuar.
Ndihma e hershme dhe bujare e Kosovës duke mirëpritur afganët sërish tregoi se kur partnerët dhe të tjerët në nevojë kërkojnë ndihmë, Kosova është e gatshme të ndihmojë. Faleminderit, Kosovë, për mikpritjen dhe gatishmërinë për t’ju ndihmuar më të dobëtëve.
Edhe pse pandemia sigurisht nuk ka marrë fund dhe nuk duhet të qetësohemi, ka arsye për shpresë përderisa e mirëpresim 2022-n. Këto ditë festash, kur shumë prej nesh jemi vaksinuar, më shumë prej nesh mund të kalojmë këtë kohë të çmueshme me familjet dhe më të dashurit tanë. Ju që nuk jeni vaksinuar ende, ju lutem, caktojeni terminin për vaksinë.
Prej familjes sonë te e juaja dhe në emër të amerikanëve ngado, ju uroj periudhë të lumtur të festave dhe urime Viti i Ri. Le të jetë 2022-a vit i paqes, drejtësisë dhe begatisë për të gjithë kosovarët.
Urime festat dhe Viti i Ri!