2019-a duhet të jetë vit i unitetit për Kosovën
Editorial nga Ambasadori Philip S. Kosnett për numrin e fundit të vitit 2018 të Kosova Sot, 28 dhjetor, 2018
Para një muaji pata nderin të kthehesha në Kosovë si ambasador i SHBA-së, 15 vjet pasi që kisha shërbyer shkurtimisht në misionin e SHBA-së në Prishtinë. Kudo që po shkoj, njerëzit më urojnë mirëseardhje e pastaj më pyesin ta krahasoj vendin siç e shoh sot me Kosovën që e mbaj mend nga 2003-a, kur vrajat e luftës ishin të freskëta dhe e ardhmja e vendit e mjegullt.
Kjo është përgjigjja ime. Njëzet vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, e shoh një vend përplot me mundësi, me njerëz – veçanërisht të rinjtë – plot me energji, ide kreative dhe vetëbesim. Shoh një demokraci të gjallë, përfshirë edhe medie dhe shoqëri civile të patrembur për të kërkuar më shumë nga udhëheqësit e tyre politikë, duke përfshirë edhe qeverisje transparente dhe të ndershme. Ky vend tashmë ka bërë përparime të rëndësishme dhe ka pasur arritje demokratike. Ka mbajtur zgjedhje të besueshme dhe ka nxjerrë legjislacion të shënuar për të drejtat e njeriut. Artistët, sportistët dhe muzikantët e kanë ngritur profilin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Më shumë se gjysma e vendeve të botës e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Nuk dëshiroj ti nënvlerësoj sfidat e njëmendta politike, të sigurisë dhe ekonomike me të cilat përballet vendi. Por, e shoh një vend të etur për të marrë vendin e saj në bashkësinë e shteteve evropiane të lira, sovrane dhe demokratike. Viti që na pret do të tregojë nëse populli dhe qeveria e Kosovës janë të gatshme ti marrin vendimet e vështira që do të çojnë te paqja, begatia dhe drejtësia për shtetin.
2019-a duhet të jetë viti kur Kosova dhe Serbia përmbyllin një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim
Kosova dhe Serbia po përballen me një moment kyç. Nëse marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve nuk ecin përpara drejt arritjes së lidhjeve të respektueshme dhe të leverdishme për të dy palët, është e pashmangshme që marrëdhëniet do të përkeqësohen. Asnjëri vend nuk do të përfitojë nga vazhdimi i obstruksionizmit dhe vonesave. Më inkurajoi vendimi i kohëve të fundit i prijësve të Kosovës për të krijuar një delegacion shtetëror për të siguruar që qëndrimi negociator i Kosovës pasqyron një konsensus të gjerë se si të ecet përpara dhe i nxis ata që nuk i janë bashkuar procesit që ta rishqyrtojnë vendimin e tyre.
Shpresoj që do të vazhdojmë ti shohim prijësit e Kosovës duke punuar në partneritet dhe duke ndërmarrë hapa të guximshëm, si pezullimi i taksës në mallrat nga vendet fqinje, për t’iu dhënë negociatave mundësi për të ecur përpara. Një lloj i tillë i udhëheqjes së guximshme e të sigurtë – nga të dy anët në tavolinën negociatore – do të jetë i domosdoshëm për të ecur përpara dhe për ta thyer ngërçin e tanishëm.
Kur them “për të ecur përpara”, nuk mendoj se duhet ta harrojmë të kaluarën. Por, as që – siç më kanë thënë më shumë se një qytetar i Kosovës – duhet ta lëmë të kaluarën që ta mbajë të ardhmen peng. Si për çdo vend tjetër, siguria e Kosovës do të varet sa nga marrëdhëniet paqësore me fqinjët e saj po aq edhe nga marrëdhëniet për siguri me partnerët dhe nga fuqia e vetë institucioneve të saj.
2019-a duhet të jetë viti kur Kosova i tregon botës se pakicat e saj janë hisedarë të barabartë në ndërtimin e të ardhmes së vendit.
Njerëzit më pyesin si e bëj ndarjen e fajit për problemet e kaluara dhe të tashme që përshijnë komunitetet pakica. Sinqerisht, më shumë jam i interesuar të di se kush do të marrë përgjegjësinë për ti çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. Sa më shumë që pakicat ndjejnë që zëri i tyre po dëgjohet dhe që shqetësimet e tyre legjitime po trajtohen nga qeveria e tyre, aq më të përkushtuar do të jenë vetë prijësit e tyre për ta ndërtuar një të ardhme në harmoni me bashkëqytetarët e tyre kosovarë.
Për shembull, unë besoj se në çdo vend është jetike që pjesëtarët e forcave të policisë dhe të sigurisë të pasqyrojnë përbërjen etnike dhe fetare të komuniteteve që iu shërbejnë. Shumë vende – përfshirë edhe timin – kanë paguar çmim kur pjesëtarët e komuniteteve i shohin policët dhe ushtarët thuaja se janë aty për të imponuar vullnetit e të ‘jashtmëve’ e jo për të shërbyer dhe mbrojtur. Veprimet e disave për të parandaluar serbët e Kosovës për të shërbyer në uniformë nuk i ndihmojnë komunitetit dhe nuk i shërbejnë kauzës së paqes. Jam i bindur se në vitin 2019, Kosova do të vazhdojë ti angazhojë komunitetet pakica në tranzicionin afatgjatë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e thelluar karakterin përfaqësues shumetnik të FSK-së dhe duke i bashkërenditur punët ngushtë me KFOR-in për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.
2019-a duhet të jetë gjithashtu viti kur premtimet e paplotësuara për ndërtimin e kulturës së transparencës, llogaridhënies dhe meritokracisë në Kosovë kalojnë në vepra.
Qytetarët e Kosovës më kanë pyetur nëse “Java kundër Korrupsionit” që sapo u përmbyll është vetëm shfaqje apo nëse sjell rezultate të vërteta kundër korrupsionit dhe akraballëkut. Kjo është pyetje me vend. A do t’ju jepet gjithë këtyre të rinjve plot energji e të talentuar mundësia e barabartë për të pasur sukses në vendin e tyre apo a do të vazhdojë t’ju bllokohet rruga nga zyrtarët që ua kanë borxh pozitat lidhjeve politike më parë se sa kualifikimeve profesionale? A do të vazhdojë fuqia dhe ndikimi të peshojë mbi ligjin dhe barazinë si ndarës të drejtësisë?
Ka ardhur koha që qeveria e Kosovës ti sprovojë institucionet e saj duke iu kërkuar llogari individëve dhe vendimmarrësve në të gjitha nivelet. Një ndryshim i rëndësishëm duhet të jetë punësimi i shërbyesve civilë në bazë të meritave, e jo përkatësisë së partisë politike. Duke e theksuar meritën – prej punësimit të drejtorëve të shkollave e deri te dhënia e kontratave qeveritare – qeveria mund të ndihmojë për të siguruar se funksionet e rëndësishme i kryejnë njerëz të kualifikuar, si dhe që qytetarët e shohin se mënyra më e mirë për të përparuar është duke iu përmbajtur rregullave të lojës.
Marrëdhëniet paqësore rajonale, stabiliteti i brendshëm dhe sundimi i ligjit do ta bëjnë Kosovën vend shumë më tërheqës për investime.
Tashmë keni fuqi punëtore të talentuar dhe të zellshme dhe klasë menaxhuese të arsimuar shumë mirë. Ata të rinj mbresëlënës që i përmenda më herët? I përgëzoj që qëndrojnë në Kosovë për të ndërtuar të ardhmen e vendit. Nëse nuk dëshironi ti shihni edhe më tej të rinjtë e Kosovës, që përsiaten për të gjetur punësim këtu, duke hequr dorë dhe duke kërkuar mundësi jashtë vendit, krijoni mjedis për përparim ekonomik këtu.
Përbërësit kryesorë për sukses në të gjitha këto fusha është aftësia për tu ngritur mbi interesat dhe frikën personale për ta përqafuar nevojën për unitet. Unitet ndërmjet udhëheqësve politikë. Unitet ndërmjet qytetarëve të Kosovës. Unitet ndërmjet komuniteteve fqinje dhe kombeve fqinje.
E di se asnjëra nga këto nuk janë të lehta. Po të ishin të lehta, ju tashmë do ti kishin arritur. Por, tani është koha.
Kosova tani është në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë. Studiuesit e historisë amerikane mund ta mbajnë në mend se dhjetëvjeçari ynë i parë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1776 ishte i rrezikshëm dhe republika e re kërcënohej nga brenda e jashtë. E ardhmja e Shteteve të Bashkuara si shtet i unifikuar dhe demokratik shpesh ishte në dyshim. Vetëm në dhjetëvjeçarin e dytë, me krijimin e Kushtetutës të vitit 1789, amerikanët u bënë bashkë dhe Amerika filloi ta gjejë rrugën e saj si një komb, i pandarë.
Në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë së Kosovës, janë pikërisht populli dhe qeveria e Kosovës që duhet të marrin përgjegjësinë për marrjen e vendimeve dhe të veprimeve të nevojshme për të ndërtuar një shoqëri përfshirëse, demokratike, të begatshme e të sigurtë, në paqe me fqinjët e saj dhe që e respekton sundimin e ligjit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrah jush në çdo hap të rrugës.